Licencimet e klubeve për kupat e Evropës, Kosova i jep leksion Shqipërisë

Licencimet e klubeve për kupat e Evropës, Kosova i jep leksion Shqipërisë

Disa javë më parë, gazeta “Panorama Sport” njoftoi problemet që kishin disa klube të Kategorisë Superiore në Shqipëri, sa i përket plotësimit të kushteve për licencimin në kompeticionet europiane.

Në fakt, ka pasur një përgënjeshtrim që askush nuk ka probleme dhe se procesi është ende duke u zhvilluar.

Shembullin më të mirë e ka dhënë i njëjti Komision, por në Kosovë. Në një dalje publike për median, ata kanë njoftuar se cilët janë klubet që aktualisht nuk janë në nivelin e plotësimit të kushteve dhe se duhet të jenë të përgatitur që të rregullojnë gjithçka deri më 31 maj, kur edhe përfundon afati.

Një prej kushteve thelbësore ka të bëjë me bilancet ekonomike, ku nuk duhet të ketë asnjë detyrim të prapambetur, si me gjyqet e humbura, ashtu edhe me rrogat aktuale të Administratës.

Gjithashtu, nevojitet që klubet të kenë edhe stafe të kompletuara, të cilëve t’u paguhen në mënyrë të rregullt të gjitha detyrimet tatimore.

Pikërisht këto elementë janë edhe ato që penalizojnë disa klube të Shqipërisë që pretendojnë të marrin pjesë në Kupat e Europës edicionin e ardhshëm. Ndërkohë që në Kosovë kanë profesionalizmin dhe t’i bëjnë publike, në Shqipëri i druhen faktit se një paralajmërim i tillë mund të prishë edhe garën e kampionatit.

Klubet e përmendura si të rrezikuara sa i përket licencimit në Shqipëri janë Tirana, Flamurtari dhe Vllaznia, të cilat nuk plotësojnë disa prej kushteve.