Liderët e NATO-s dhe BE-së shprehen të shqetësuar nga trazirat në SHBA

Liderët e NATO-s dhe BE-së shprehen të shqetësuar nga trazirat në SHBA

Kreu i NATO-s dhe liderët evropianë shprehën shqetësimin e tyre pasi mbështetësit e presidentit amerikan Donald Trump u futën në Kongresin e SHBA-së teksa ligjvënësit duhej të nënshkruanin fitoren zgjedhore të presidentit të zgjedhur Joe Biden, transmeton Insajderi.

“Skena tronditëse në Washington. Rezultati i këtyre zgjedhjeve demokratike duhet të respektohet”, u shpreh në Twitter Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri britanik Boris Johnson i quajti ngjarjet “të turpshme” dhe tha se SHBA “është sinonim i demokracisë në të gjithë botën dhe tani është thelbësore që të ketë një transferim të qetë dhe të rregullt të pushtetit”.

“Po ndjek me shqetësim lajmet që vijnë nga Capitol Hill në Washington. Besoj në forcën e demokracisë së Amerikës”, u shpreh kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

“Presidenca e re e Joe Biden-it do të tejkalojë këtë kohë tensioni, duke bashkuar popullin amerikan”, shtoi ai.

Kryediplomati gjerman Heiko Maas kërkoi që “Trump dhe mbështetësit e tij më në fund të pranojnë vendimin e votuesve amerikanë dhe të ndalojnë në shkeljen e demokracisë”.

“Armiqtë e demokracisë do të jenë të lumtur të shohin këto pamje të papërfytyrueshme në Washington. Fjalët nxitëse shndërrohen në veprime të dhunshme, në shkallët e Reichstag-ut dhe tani në Capitol. Përçmimi i institucioneve demokratike ka degëzime shkatërruese”, shkroi ai në Twitter.

Skenat kaotike të mijëra mbështetësve të presidentit Donald Trump duke u përplasur me policinë jashtë legjislaturës federale nxitën edhe më shumë kaos, teksa protestuesit thyen kordonin policor, thyen dyert dhe dritaret e Kongresit dhe përfundimisht arritën në Senat.

Në fotot e publikuara në rrjetet sociale shihen forcat e sigurisë që shënjestrojnë me pistoleta teksa protestuesit u përpoqën të futen në Dhomën e Përfaqësuesve ku duhej të bëhej numërimi i votave.

Të paktën një grua u qëllua në rrëmujën në vazhdim, duke u bazuar në video-pamjet e transmetuara në televizionin kombëtar. Sipas raportimeve, ajo është në gjendje kritike. /Insajderi.com