Liderja e opozitës në Bjellorusi ikën nga vendi – vdes një protestues në Minsk

Liderja e opozitës në Bjellorusi ikën nga vendi – vdes një protestues në Minsk

Liderja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, e ka lënë Bjellorusinë dhe tani është “ e sigurt” në Lituani, ka thënë ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Linkevicius, shkruan BBC, njofton Insajderi.

Largimi nga shteti i Tikhanovskaya vjen në kohën kur protestat po vazhdojnë për të dytën ditë rresht, pas zgjedhjeve të së dielës të cilat po besohet se janë vjedhur.

Ekipi i saj ka thënë se ajo po e eviton pjesëmarrjen në protesta, për shkak të “ndonjë provokimi të mundshëm”.

Rezultatet zgjedhore i kanë thënë fitore presidentit aktual, Alexander Lukashenko, me rreth 80 për qind të votave, por Tikhanovskaya refuzon ta pranojë këtë rezultat.

Me mungesë të kushteve minimale për të mbajtur zgjedhje dhe pa vrojtim të duhur, zgjedhjet në Bjellorusi janë cilësuar si një hajni e madhe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë shprehur kundër asaj që ka ndodhur në Bjellorusi me zgjedhjet dhe vjedhjen e votës.

Policia në Minsk ka hedhur topa gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve, ndërsa zyrtarisht mësohet se një demonstrues ka vdekur pasi një mjet shpërthyes i ka eksploduar në dorë.

Ky është fataliteti i parë në njerëz prejse protestat kanë filluar./Insajderi.com