Ligji për tregjet financiare bazuar në Blockchain, ndërmarrje guximtare nga Shqipëria

Ligji për tregjet financiare bazuar në Blockchain, ndërmarrje guximtare nga Shqipëria

Qeveria e Shqipërisë ka hedhur për konsultim publik një ligj të ri për tregjet financiare bazuar te teknologjia Blockchain, që mendojmë se është një ndërmarrje shumë guximtare nga Shqipëria.

Kështu tha sot kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i ftuar një nga eventet e organizuara nga Consulcesi, në kuadër të konferencës së 41-të ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë.

Rama tha se kjo po arrihet “falë punës së madhe të kryer nga një grup personash”. Ai shprehu bindjen se duke filluar këtë proces konsultimi publik mbi legjislacionin ne kemi hapur një rrugë të re mundësish për zhvillimin e vendit tonë”.

“Nuk jam këtu për të folur për Blockchain, unë personalisht jam artist, jo person i teknologjisë, por nuk mendoj se detyrimisht duhet të jesh shkencëtar që të kuptosh se Blockchain për herë të parë ka bërë të mundur në gjithë historinë e njerëzimit çdo lloj ndërveprimi pa qenë nevoja për të pasur palë të tretë, apo ndërmjetëse”, tha Rama.

Sipas tij, “ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt forcimit të besueshmërisë sa i përket komunikimit duke mos pasur në mes një ndërmjetës”.

“Blockchain është një instrument shumë më i gjerë se sa vetëm kaq. Përmes teknologjisë Blockchain do të kemi mundësinë për t’i dhënë në të ardhmen sistemeve, efikasitet më të lartë dhe siguri më të madhe, si në atë të pronësisë”, tha Rama.

Kryeministri tha se “në një vend si Shqipëria Blockchain mund të ofrojë një mënyrë shumë efikase për dërgesat e ardhura nga jashtë, duke ulur të gjitha kostot dhe duke rritur shpejtësinë e ndërveprimeve”./Atsh