Liridon Krasniqi grumbullohet nga kombëtarja e Malajzisë për ndeshjet e majit

Liridon Krasniqi grumbullohet nga kombëtarja e Malajzisë për ndeshjet e majit

Mesfushori shqiptar, Liridon Krasniqi, është ftuar për herë të parë nga kombëtarja e Malajzisë për ndeshjet miqësore që aziatikët do të luajnë në muajin maj, njofton Insajderi.

Krasniqi aktualisht luan për skuadrën e Newcastle United Jets në kampionatin australian të futbollit, ku pas pesë viteve të luajtura në Malajzi mori dhe nënshtetësinë si qytetar malajzian. Mesfushori 29 vjeçar së bashku me 37 bashkëlojtarët e tjerë të kombëtares, do të vaksinohen përpara sfidave eliminatore për Kupën e Botës “Qatar 2022”.

“Një total prej 38 lojtarësh do të marrin vaksinën duke filluar nga data 19 prill, përpara se të nisen për në Emiratet e Bashkuara Arabe në ndeshjet para-kualifikuese për Kupën e Botës “Qatar 2022” dhe Kupën Aziatike. Në këtë numër, përfshihen edhe tre lojtarë jashtë vendit. Liridon Krasniqi, Luqman Hakim dhe Junior Eldstal”, shkruhet në njoftimin e kombëtares malajziane.

Kujtojmë së Krasniqi ka qenë më parë pjesë e Shqipërisë U-21 në vitin 2011 dhe ka luajtur gjithashtu tre ndeshje me përfaqësuesen e Kosovës në vitin 2014. /Insajderi.com