Lirohet me kusht kritiku i Erdoganit

Lirohet me kusht kritiku i Erdoganit

Avokati Ilyas Uyar, që e përfaqëson shkrimtarin, Dogan Akhanli, thotë se një gjykatë në Spanjë e ka liruar atë me kusht, një ditë pasi ishte arrestuar me kërkesë të Turqisë.

Avokati Uyar ka shkruar sot në rrjetin Facebook se pas dëgjimit në gjykatë, Akhanli “është liruar me kusht që të qëndrojë në Madrid” dhe se Ankaraja do të duhet që formalisht ta kërkoj ekstradimin e tij.

Akhanli është i lindur në Turqi, por ka imigruar në Gjermani në vitin 1991, pasi në Turqi i kishte vuajtur disa vite në burg, pas grushtshtetit ushtarak në vitin 1984.

Berlini reagoi me të shpejtë ndaj arrestimit të djeshëm të Akhanlit nga policia e Spanjës, duke kërkuar nga Madridi që këtë shkrimtar të mos e ekstradoj në Ankara, pasi ai kishte shkruar në mënyrë kritike për gjendjen e të drejtave të njeriut në Turqi, shkruan REL.

Dega gjermane e asociacionit të shkrimtarëve PEN ka kumtuar se beson se fletarresti turk është politikisht i motivuar për shkak të shkrimeve të autorit, Dogan Akhanli, për vrasjet masive të armenëve në Turqi, në vitin 1915.