Skuadra e Llapit në ndeshjen e kthimit në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës në futboll, ka barazuar me Prishtinën duke luajtur me shifrat 2:2, teksa në sfidën e parë kishte mposhtur Prishtinën në kryeqytet, kështu me rezultat të përgjithshëm 5:4, kualifikohet në finalen e Kupës, njofton Insajderi.
Fillimisht realizuan mysafirët pas vetëm gjashtë minutash lojë, autor i golit ishte Gavazaj që u tregua i saktë nga penalltia. Mirëpo nikoqirët barazuan rezultatin pas 10 minutash, ku barazoi shifrat Januzi. Me rezultat 1:1 u mbyll fraksioni i parë i ndeshjes, teksa edhe dy gola të tjerë u shënuan në pjesën e dytë të takimit.
Në minutën e 63-të të takimit, Pefqeli riktheu epërsinë për mysafirët, duke shënuar për shifrat 1:2, ndërsa dy minuta para mbylljes së takimit, Hyseni do të shënonte për shifrat përfundimtare 2:2. Kështu në finale, kalon ekipi nga “Zahir Pajaziti”, ku e pret ekipi nga Liga e Parë, Dukagjini i Klinës. /Insajderi.com