Llapi nga udhëtimi te Arbëria kthehet me tre pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë, pasi ka arritur të mposht me rezultat 2:1 ekipin nga Dobraja e Madhe e Lipjanit, njofton Insajderi.
Të dy golat mysafirët nga Podujeva i shënuan në pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa vendasit vetëm në pjesën e dytë arritën të ngushtonin rezultatin, mirëpo jo edhe ta evitonin humbjen.
Në minutat 30’ dhe 39’ Llapi realizoi të dy golat. Së pari shënoi Prenci, pastaj nëntë minuta më vonë edhe Selmani shënoi, kështu duke çuar në pushimin mes dy pjesëve ekipin e tyre me një kapital prej dy golash.
Në pjesën e dytë, Arbëria ngushtoi rezultatin me anë të Ibrahimit (59’), kjo ishte e tëra çfarë mund të bënin në këtë takim nikoqirët. Në minutën 78-të, Arbëria mbeti me 10 lojtarë në ndeshje, pasi Avdulli u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, kështu e kishte të pamundur të barazonte rezultatin.
Me këtë fitore Llapi ndodhet në vendin e nëntë me 17 pikë, ndërsa Arbëria mbetet në kuotën e 20 pikëve në vendin e gjashtë. /Insajderi.com