Llapi mposht bindshëm Trepçën ‘89

Llapi mposht bindshëm Trepçën ‘89

Në kuadër të javë së 12-të në Superligën e Kosovës në futboll, Llapi ka shënuar fitore bindëse, pas tre humbjeve radhazi, kundër Trepçës ’89, njofton Insajderi.

Në ndeshjen e zhvilluar në “Zahir Pajaziti”, Llapi ka dominuar lojën që nga fillimi i takimit e deri në fund.

Serinë e golave, skuadra nga Podujeva e hapi në minutën e 19’ të ndeshjes, kur realizoi Sadriu, pas një gabimi të portierit mysafir. Në minutën e 43’ të ndeshjes, Llapi dyfishoi rezultatin me Hysenin, ndërsa para se skuadrat të shkonin në pushimin mes dy pjesëve, realizoi edhe një herë Sadriu, duke realizuar golin e dytë personal në takim dhe të tretin për nikoqirët.

Golin e katërt për Llapin e shënoi Prençi (64’), duke realizuar me kokë, ndërsa golin e pestë dhe të fundit në takim, e shënoi Aliu dy minuta para mbylljes së takimit.

Me këtë fitore, Llapi grumbullon tetë pikë pas 11 ndeshjeve dhe ndodhet në vendin e parafundit në tabelë, ndërsa me këtë disfatë skuadra nga Mitrovica mbetet në vendin e gjashtë me 14 pikë. /Insajderi.com