Në ndeshjen e zhvilluar në “Zahir Pajaziti”, kampionët nga Gjilani kanë shënuar fitore shumë të rëndësishme, me përmbysje, duke arkëtuar tre pikë shumë të rëndësishme në luftën për titull, njofton Insajderi.
Të parët që shënuan në këtë takim, ishin vendasit me anë të Valmir Veliut, i cili realizoi me kokë, pas nja harkimi nga Januzi, në minutën e nëntë të ndeshjes.
Në anën tjetër, rastin më të mirë për mysafirët për të barazuar rezultatin në pjesën e parë e kishte Rexha, i cili në portën bosh nuk arriti të shënonte. Me rezultat minimal për vendasit u mbyllën 45’ minutat e para të ndeshjes.
Me të filluar pjesa e dytë, skuadra mike kërkonte golin e barazimit, teksa golin e arriti në minutën 58’ me Ajzeraj, i cili u inkuadrua nga banka rezervë. Golin e fitores, mysafirët nga Gjilani e arritën në minutën e 70’ të ndeshjes, pas një autogoli nga sulmuesi i Llapit, Ahmed Januzi.
Me këtë fitore, Drita shkon në 19 pikë të tubuara, gjashtë pikë më pak se lideri Ballkani, por me dy ndeshje më pak të zhvilluara. Në anën tjetër, Llapi me këtë disfatë, e fut veten akoma më shumë në krizë, ndodhet në vendin e parafundit, me vetëm pesë pikë. /Insajderi.com