Lojtarët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut: E vështirë të luanim kundër tanëve, por ky është sporti

Lojtarët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut: E vështirë të luanim kundër tanëve, por ky është sporti

Të enjten mbrëma, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, u takuan në gjysmëfinalen e “palyoff”-it të Ligës së Kombeve në Shkup, ku më të suksesshmit u treguan vendasit duke arritur të shënonin fitore 2:1, kështu duke kaluar në finale ku i pret Gjeorgjia, njofton Insajderi.

Pas ndeshjes, u prononcuan disa lojtarë shqiptarë që aktivizohen te  Maqedonia e Veriut, Enis Bardhi, Visar Musliu dhe Ezgjan Alioski, ku nuk e fshehën gëzimin e  fitores, por edhe ishte shumë e vështirë të luaje kundër vëllezërve, por ky është sporti, thanë ndër të tjera futbollistët shqiptarë.

Enis Bardhi: “Normalisht, këto lloj ndeshjesh janë shumë të rënda si psikologjikisht edhe fizikisht. Futbolli është respekt. Nëse do të kishte fituar Kosova, do të isha ndier mirë dhe do të isha gëzuar. Në fund të fundit, jemi të njëjtë”.

Visar Musliu: “Pikësëpari, jemi të lumtur që u kualifikuam. Qëllimi ishte të fitonim këtë ndeshje dhe të ishim aty ku dëshironim. Prisnim të ishte ndeshje e vështirë dhe natyrisht në një ndeshje duhet të jepet maksimumi. Nuk ishte e lehtë të luanim kundër tanëve, të themi të drejtën. Por ky është sporti, ne jemi lojtarë profesionalë e dimë që jeta vazhdon edhe pas kësaj ndeshjeje”.

Ezgjan Alioski: “Mendoj se kanë luajtur edhe ata shumë mirë, u kanë munguar edhe shumë lojtarë. Por edhe ne, me organizimin që kemi, stafin selektorin e lojtarët jemi forcuar. Ndeshja me Gjeorgjinë? Kemi vetëm një ndeshje, kemi kohë të përgatitemi tani për atë finale dhe na mbetet edhe një për të arritur objektivin. Në Europian do të ketë shqiptarë, nëse fitojmë”.

Kujtojmë që për Maqedoninë e Veriut, startues në këtë takim ishin pesë futbollist, mesin e tyre Bardhi, Bejtulai, Musliu, Ademi dhe Alioski, ndërsa në bankën rezervë ishte Ferhan Hasani. /Insajderi.com