Londra dërgon nëndetëset në Siri

Londra dërgon nëndetëset në Siri

Kryeministrja britanike Theresa May ka urdhëruar që nëndetëset britanike të vendosen ashtu që Siria të jetë në rreze të raketave dhe të bëhen gati për sulme ndaj ushtrisë siriane, pretendojnë mediet britanike, derisa ekipi për siguri kombëtare i presidentit të SHBA po i shqyrton të gjitha opsionet për përgjigje në situatën e krijuar në Siri.

Mediet britanike theksojnë se May ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar se a do t’i bashkohet Britania e Madhe goditjeve të SHBA dhe Francës si përgjigje për sulmin me gaz kimik të regjimit sirian, por theksojnë se kryeministrja dëshiron që forcat britanike të jenë të gatshme për reagim të shpejtë, transmeton Reuters.

Agjencia pretendon, duke u thirrur në burimet anonime në qeverinë britanike, se Britania e Madhe “po bën gjithë çfarë është e nevojshme” në mënyrë që të mund t’i lëshojë raketat “Tomahawk” nga nëndetëset kundër caqeve ushtarake në Siri, përcjell Insajderi.com.

Njëkohësisht, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders ka kumtuar se ekipi për siguri kombëtare i presidentit Donald Trump është takuar dje pasdite sipas kohës lokale në mënyrë që të diskutojë mbi përgjigjen e SHBA në përdorimin e qartë të armëve kimike nga ana e ushtrisë siriane kundër popullit të vet, transmeton AP.

Sanders ka thënë se zëvendëspresidenti Mike Pence po e kryeson këtë mbledhje.

Ajo ka theksuar se ende nuk është marrë vendimi mbi atë se a do ta sulmojnë forcat amerikane Sirinë, edhe pse presidenti ka kërcënuar në Twitter me shkrepjen e raketave “të bukura, të reja dhe të mençura”.

Sanders ka përmendur se SHBA po e fajëson qeverinë siriane dhe aleatët e saj rus se sulmi shkatërrues është kryer të shtunën në Duma ku, siç pretendojnë aktivistët e drejtave të njeriut dhe shpëtimtarët, janë vrarë së paku 40 persona./Insajderi.com.