Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka treguar nëse do të ishte i gatshëm të ishte trajner i Kombëtares së Kosovës, shkruan Insajderi.
Ai deklaroi se të qenit trajner nuk është rrugëtimi që e ka në plan duke shtuar se të jesh trajner duhesh të jesh i përgatitur mjaftueshëm.
“Është një karrierë që duhet me u marrë me dëshirën e madhe për me e bo, përtej aspektit të ndjenjave kombëtare dhe patriotike. Duhet të jesh i përgatitur mjaftueshëm, sepse mund të bësh dëm për veten dhe çfarëdo projekti që merr nëse diçka nuk e bën me pasionin e duhur. Besoj që ka shumë individë dhe trajnerë që janë të përgatitur dhe do të jenë të përgatitur para meje për të dhënë kontributin si trajner”, ka pohuar Cana për emisionin “Evropianin Special” në ‘KK’.
Ai ka thënë së do të vazhdojë të kontribuoje në zhvillimin e sportit në Kosovë, por jo direkt në Kombëtaren e Kosovës.
“Në çdo aspekt tjetër mundohem të jap kontribut edhe për futbollin në Kosovë, jo direkt për Kombëtaren e Kosovës, por për sportin në Kosovë për ta zhvilluar sportin atje që fëmijët apo të rriturit të kenë mundësi të merren me pasionin e tyre dhe të rriten njëjtë si në Zvicër, Gjermani, Itali apo vende të tjera. Kjo më pëlqen si sfidë dhe do të vazhdoj të jap një kontribut në atë drejtim”, ka shtuar më tej Cana./Insajderi.com