
Macet shpesh janë kafshë të përkëdhelura shtëpiake. Për ta në Turqi janë bërë edhe hotele, ndërsa ulen edhe në bankat shkollore. Mirëpo, punonjësit e Bashkisë Esenkoy në qarkun Yalova të Turqisë kanë shkuar një hap më tej duke ua hapur dyert e institucionet maceve, shkruan Anadolu Agency (AA).
Kështu, tani këta kafshë të përkëdhelura me punonjësit e bashkisë ndajnë zyret, tavolinat e madje edhe kolltuqet.
Punonjësit e bashkisë gati dy vite ushqejnë macet dhe u kushtojnë vëmendje të posaçme që të mos i zgjojnë derisa janë duke fjetur.
Numri i maceve në bashki ndryshon. Në periudhën e verës janë më pak, kurse gjatë dimrit në bashki ka rreth 20 mace.
Cigdem Ucar, drejtoreshë në njërin nga departamentet e bashkisë, tha se është një ndjenjë e mirë të ndash hapësirën me mace.
Ucar shton se dy vite më parë kanë filluar të kujdesen për macet dhe pesë klyshët e tyre të vendosur para derës së bashkisë.
“U dërgoja ushqim përjashta. Deri në fund të verës kanë mbetur dy klyshë. Me afrimin e dimirit, ato filluan të hynin me mua në ndërtesë. Pastaj më ndiqnin deri në zyrë. Fillova t’i ushqej aty”, sqaron ajo.
Ajo thotë se macet së bashku me punonjësit largohen nga bashkia, dhe në mëngjes sërish kthehen. Punonjësit i ushqejnë dhe ato lëvizin lirshëm dhe flenë shumë.
Reagime pozitive kanë dërguar edhe qytetarët.
“Tërheqin shumë vëmendje. Duan të flenë. Natyrisht kolegëve nuk u pengojnë dhe deri më tani nuk ka patur ankesa. Ato janë akomoduar pasi rregullisht janë këtu. Sigurisht ato janë kastruar”, sqaron Ucar.
Ajo shtoi se edhe kryebashkiaku ka pëlqyer macet.
“Ato dalin edhe në ballkonin e vogël që ndodhet në zyrën e tij. Aty fle njëra prej meceve, po aty ia lë ushqimin gjatë fundjavës. Asaj i pëlqen të qëndrojë aty”, tregon Ucer.
Kryebashkiaku Ozer Kaptan tha se është i lumtur për macet.
“Punonjësit i duan. Jemi së bashku këtu. Në çdo vend duhet të ndihmojmë kafshët, t’i mbrojmë dhe t’i ushqejmë. Ne do të vazhdojmë t’u ndihmojmë”, tha ai.
Ai potencoi edhe balancin mes njerëzve, kafshëve dhe bimëve, si dhe varshmërinë e ndërsjellë.
Kaptan thotë se janë angazhuar të bëjnë edhe një qendër për qentë.