Në një intervistë ekskluzive për Al Jazeera, Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se ai i kupton ‘sentimentet’ që shprehen nga bota Myslimane mbi karikaturat e Profetit Muhamed, transmeton Insajderi.
Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se ai i kupton ndjenjat e myslimanëve të cilët janë të tronditur nga shfaqja e karikaturave të Profetit Muhamed por shtoi se “Islami radikal” që ai po përpiqet të luftojë është një kërcënim për të gjithë njerëzit, veçanërisht myslimanët, raportoon Al Jazeera. Komentet e Macron për Al Jazeera, në një intervistë ekskluzive që do të transmetohet të shtunën, vijnë në mes të tensioneve të rritura midis qeverisë franceze dhe botës Myslimane rreth karikaturave, të cilat myslimanët i konsiderojnë si blasfemi.
“Unë i kuptoj ndjenjat që shprehen dhe i respektoj ato. Por ju duhet ta kuptoni rolin tim tani, duhet të bëjmë dy gjëra: të ruajmë qetësinë dhe gjithashtu të mbrojmë këto të drejta”, tha Macron.
“Unë gjithmonë do të mbroj në vendin tim lirinë për të folur, për të shkruar, për të menduar, për të vizatuar,” shtoi ai.
Macron gjithashtu goditi atë që ai e përshkroi si “shtrembërim” nga udhëheqësit politikë, duke thënë se njerëzit shpesh shtyheshin të besonin se karikaturat ishin një krijim i shtetit francez.
“Unë mendoj se reagimet erdhën si rezultat i gënjeshtrave dhe shtrembërimeve të fjalëve të mia sepse njerëzit e kuptuan që unë i mbështesja këto karikatura,” tha presidenti në intervistë.
“Karikaturat nuk janë një projekt qeveritar, por dolën nga gazetat e lira dhe të pavarura që nuk janë të lidhura me qeverinë,” shtoi Macron. /Insajderi.com