Madrilenët e Realit dominojnë në “El Clasico”, fitojnë 3:1

Madrilenët e Realit dominojnë në “El Clasico”, fitojnë 3:1

Java e gjashtë në La Liga, rezervonte “El Clasico”-n e parë të edicionit 2020-2021 në futbollin spanjoll, njofton Insajderi.

Në ndeshjen e zhvilluar në “Camp Nou”, mysafirët e Realit të Madridit, u treguan më të suksesshëm se Barcelona, duke fituar me rezultat 1:3.

Në minutën e pestë të takimit, i pari që zhbllokoi rezultatin ishte mesfushori madrilen, Federico Valverde, duke shënuar pas asistimit të Benzema, ndërsa pas vetëm katër minutash, barazoi rezultatin 1:1, sulmuesi katalunas, Ansu Fati, pas asistimit të Jordi Alba-së. Me rezultat 1:1 u mbyll pjesa  e parë.

Në pjesën e dytë të dyja ekipet u orvatën të shënonin golin e dytë, mirëpo më të suksesshëm u treguan mysafirët, ku me anë të Sergio Ramos, dhe me ndihmën e VAR-it, arritën të nxirrnin një penallti, të cilin në gol e shndërroi vet Ramos (63’), duke rikthyer epërsinë për “mbretërit”.

Pas golit të avantazhit nga madrilenët, Barcelona tentoi disa herë të barazonte rezultatin, mirëpo banka rezervë pa cilësi të mjaftueshme nuk bëri dot dallimin.

Në anën tjetër, Real Madrid, edhe në bankën rezervë kishte lojtar klasi si kroati Modriç, i cili pikërisht ishte ai që do të shënonte golin e tretë për mysafirët, golin e sigurisë, në minutat shtesë të takimit. Pas shëtiti pak portierin Neto, sa majtas e sa djathtas, Modriç nuk e pati të vështirë të gjente rrjetën për të tretën herë për Real Madrid.

Kështu, me këtë fitore, Reali kryeson renditjen tabelore në La Liga me 13 pikë pas gjashtë gjirosh, ndërsa Barcelona ngelet në kuotën e shtatë pikëve pas pesë gjirosh dhe ndodhet në pozitën e 10 në tabelë. /Insajderi.com