Mafia Italiane që u lidh me ISIS-in për hir të naftës

Mafia Italiane që u lidh me ISIS-in për hir të naftës

Policia italiane po heton një partneritet të dyshuar midis mafies lokale dhe grupit militant të Shtetit Islamik (ISIS), rreth kontrabandës së naftës së papërpunuar nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, për në Evropë.

Një raport sekret i “Guardia di Finanza”, një agjenci e zbatimit të ligjit që raporton për Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe që daton nga shkurti i vitit 2017, thotë se disa prej rafinerive më të mëdha të vendit kishin sasi të tepërt të naftës dhe se shuma të mëdha shtesë mund të vinin nga Libia dhe Siria, vende ku Shteti Islamik ka prezencë të fortë.

Autoritetet supozohet se dyshojnë se nafta është duke u transportuar ilegalisht nga territoret që janë nën kontrollin e ISIS, me ndihmën e mafies italiane për të pasur shtrirje edhe në vendet evropiane.

Por policisë i nevojitet ende prova për të vërtetuar se nafta vjen nga ISIS dhe jo nga një grup tjetër jo-ekstremist trafikantësh.

Origjina e dërgesës mbetet e panjohur, sepse kaloi përmes ndërmjetësuesve për të zhdukur gjurmët.

Policia dyshon se anijet e dy grupeve kriminale i frenojnë transponderët e tyre për të zbehur prezencën e tyre dhe pastaj takohen në Mesdhe për të transferuar pazarin nga njëri tek tjetri.

Sapo të kryhet transferimi, ata lëshojnë përsëri transpondorët pasi që anijet largohen nga njëra-tjetra.

Anijet me naftë të papërpunuar pastaj vazhdojnë në portet e Italisë dhe Francës, njofton OCCRP, përcjell Insajderi.

Nafta është i vetmi burim i vërtetë kombëtar në këto vende dhe qeveritë dhe organet e tjera kompetente po luftojnë për të pasur kontroll mbi të, si dhe kontroll mbi rafineritë dhe portet.

Në Siri, ISIS kishte kontrollin mbi disa fusha të naftës, ndërsa në Libi është e paqartë nëse shteti ka gisht në posedim të fushave dhe rafinerive.

Sipas artikullit të botuar nga Al Arabiya, ekspertët nuk besojnë se mafia dhe ISIS kanë të zhvilluar strategji apo aleancë të përbashkët, por thjesht vetëm bashkëpunojnë herë pas here.

“Klanet e mafies nuk kanë interes të krijojnë marrëdhënie me grupet terroriste për më shumë se një arsye”, citon Alessandro Orsini, profesor i Sociologjisë së Terrorizmit dhe Drejtor i Observatorit të Sigurisë Ndërkombëtare në Universitetin LUISS në Romë.

“Para së gjithash, terroristët janë armiku më i madh i shtetit italian dhe mafia nuk dëshiron që policia italiane të mbikëqyrë aktivitetet e saj, ndërkombëtarisht,” i tha Orsini gazetës.

“Së dyti, një aleancë midis mafies dhe ISIS përfundimisht do të rezultonte në shkatërrimin e mafies, sepse atëherë shteti italian, bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara, do të ndërhynin për të ndaluar këtë fenomen,” shtoi ai./Insajderi.com