Djali i udhëheqësit të vrarë të Çadit, Idriss Deby, do të marrë detyrën e presidentit në vend të babait të tij, sipas një dokumenti të lëshuar të mërkurën nga presidenca, transmeton Insajderi.
Ai tha se gjenerali Mahamat Idriss Deby, 37 vjeçar, i cili të martën u emërua me shpejtësi udhëheqës kalimtar si kryetar i një këshilli ushtarak pas vdekjes së babait të tij, do të “zërë funksionet e presidentit të republikës” dhe gjithashtu do të shërbejë si kreu i forcave të armatosura, raporton Al Jazeera.
Dokumenti shfuqizon kushtetutën e mëparshme dhe do të zbatohet si “ligji bazë i republikës”, në përputhje me termat e saj.
Deby më i ri është emëruar gjithashtu “kreu suprem i forcave të armatosura”, thuhet në dokumentin e lëshuar.
Djali i Debyt kishte mbikëqyrur sigurinë e babait të tij si shef i rojes elitare presidenciale dhe shpesh ishte shfaqur përkrah tij.
Mahamat Deby njihet më së miri si një komandant i lartë i forcave çadiane që ndihmojnë një mision paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në veriun e paqëndrueshëm të Malit fqinj.
Ai nënshkroi një dekret të martën që përcakton një këshill ushtarak me 15 gjeneralë, duke përfshirë edhe veten dhe 14 të tjerë që dihet se kanë qenë pjesë e rrethit të besnikëve të presidentit të ndjerë.
Këshilli ka për detyrë një tranzicion 18-mujor drejt “zgjedhjeve të lira dhe demokratike”.
Mahamat Idriss Deby gjithashtu kryeson “këshillin e tranzicionit ushtarak, këshillin e Ministrave, këshillat dhe komitetet superiore të mbrojtjes kombëtare”, sipas statutit.
Kreu i ri i shtetit do të nxjerrë legjislacionin e miratuar nga 69 anëtarët e këshillit kombëtar të tranzicionit, të cilët emërohen drejtpërdrejt nga Mahamat.
Karta e Tranzicionit, e cila përmban 95 artikuj, garanton gjithashtu “lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe adhurimit”.
Është ngritur një qeveri në tranzicion, anëtarët e së cilës emërohen nga presidenti i ri.
“Anëtarët e ushtrisë që janë thirrur në qeverinë e tranzicionit janë shkarkuar nga të gjitha detyrat ushtarake”, thuhet në dokument. /Insajderi.com