Pandemia e ka dëmtuar ekonominë kosovare, ashtu siç edhe të gjitha ekonomitë botërore. Por, muaji maj ka shënuar rritje për disa miliona.

Pas rënies të hyrave gjatë muajve mars dhe prill si pasojë e pandemisë në Kosovë, në muajin maj ka rikthim të trendit rritës të të hyrave tatimore, ka bërë të ditur sot ATK, njofton Insajderi.
Inkasimi i të hyrave nga fillimi i këtij viti deri më 18 mars ka qenë në përputhje me planifikimet e parapara, por pas kësaj date është vërejtur një trend i uljes së të të hyrave, duke pas parasysh efektet e COVID-19 dhe vendimet për shtyrje të afatit të pagesës së detyrimeve tatimore dhe kontribute pensionale.
ATK bën të ditur se totali i inkasimit të të hyrave për periudhën janar-maj 2020 është 186.1 milion euro, ndërsa, vetëm për muajin maj inkasimi i të hyrave në raport me planin është për 4.5 milionë euro apo 13% më shumë.
Ndryshe, ATK nga data 12 mars, pas vendimit të Ministrisë së Financave dhe Transfereve ka ndihmuar Qeverinë e Kosovës me masat për parandalim të koronavirusit, duke pranuar denoncime nga qytetarët dhe kryerje të inspektimeve të bizneset, të cilat kanë keqpërdoruar situatën e krijuar nga COVID-19, për të rritur çmimet e artikujve bazikë ushqimorë dhe shëndetësorë, andaj në mënyrë që të zbatohet në përpikëri ky vendim, ATK ka ulur në minimum aktivitetet e rregullta sipas Planit të Punës për 2020./Insajderi.com