Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Majlnda Kelmendi do të nderohet me shpalljen si “Qytetare Nderi me Merita të Veçanta”.
Madje, kjo do të bëhet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
Këto komente, kreu i ekzekutivit, i bëri gjatë një vizite që kishte në Pejë, ku është përuruar Qendra Nacionale e Xhudos, në këtë qytet.
”Kjo qendër nuk do të ishte as e njëjtë as e mundur pa suksesin tuaj. Sot kjo qendër do ndihej e zbrazët pa ju. Kjo qendër është sepse ju jeni në qendër”.
”Sporti është prioritet shtetëror. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të rrisim numrin e atyre që merren me sportin e xhudos”, u zotua kryeministri.
”Kjo do të jetë edhe më e lehtë për të gjithë, e veçanërisht për Dritonin, konsideruar që Majlinda do të jetë pjesë e ekipit të tij të trajnerëve”.
Majlinda Kelmendi është xhudistja më e suksesshme shqiptare.
Ajo ka arritur që ta fitojë medaljen e artë në lojërat olimpike “Rio 2016”.
Pos kësaj, edhe në shumë turne tjerë, Kelmendi kishte marrë medalje.
Ajo ka qenë edhe kampione e Evropës dhe Botës në xhudo të kategorisë 48 kg.
Ndërsa, në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, Kosova fitoi dy medalje të arta, pikërisht në xhudo – përmes Distrie Krasniqit dhe Nora Gjakovës. /Insajderi.com