Makina që udhëton me anë të diellit. Dhe natyrisht, çlirimi i gazit është i barabartë me zero. Një motor elektrik dhe bateri që rikarikohen falë paneleve të fotovoltazhit, të vendosura në të gjithë veturën. Një ëndërr jo edhe aq e pamundur.
Kështu të paktën mendojnë një grup të rinjsh gjermanë të sapodiplomuar, që në një garazh në Mynih kanë ndërtuar Sion, makinën që karikohet me energji diellore.
Sekretet e veturës janë: pesha e lehtë, e siguruar me një përdorim të gjerë materiali polikarbonat; dhe 7.5 metra katrorë në panele diellore, në gjëndje të gjenerojnë një korrent prej 1.144 watt, që i mundëson makinës të kryejë falas 30 km çdo ditë.
Bateritë janë me litium, me një kapacitet prej 30 kilovat/orë. Sion mund të udhëtojë me një shpejtësi maksimale prej 140 km në orë dhe pa çliruar asnjë metër kub gaz, njofton Top-channel.
Për të rritur efikasitetin, mjeti është i pajisur me një sistem rekuperimi të energjisë kur fillon të ngadalësojë dhe ka një frenim të ngjashëm me atë “Kers”, i përdorur në Formula 1.
Tashmë 3 të rinjtë kërkojnë mbështetje. Përmes mbledhjes së fondeve, të gjithë mund të investojnë në kërkimin dhe zhvillimin e projektit të tyre duke filluar me 5 euro.
Nëse gjithçka shkon sipas planeve dhe fondet mbërrijnë në arkat e “Sono Motors”, mjeti i ri mund të dalë në treg në vitin 2018. /Insajderi.com