
Të paktën një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur kur dikush hyri me makinë në grumbullin e protestuesve gjatë një tubimi të supremacistëve të bardhë në Sharlotsvil të Virxhinias.
Ngjarja ndodhi kur njerëzit po largoheshin nga zona, pasi policia e quajti demonstratën të paligjshme. Gjatë protestës pati mjaft incidente dhune mes demonstruesve dhe atyre anti-demonstruesve.
Videot nga vendi i ngjarjes tregonin përleshje me grushta mes demonstruesve të pajisur me mburoja dhe antiprotestuesve që gjithashtu ishin pajisur me mjete mbrojtëse.
Guvernatori i shtetit Virxhinia Terry McAuliffe njoftoi në Twitter se kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të ndihmuar autoritetet “t’i përgjigjeshin dhunës në tubimin e alternativës së djathtë,” siç quhen grupet me pikëpamje të djathta ekstreme.
“Aktet dhe retorika në Sharlotsvil gjatë 24 orëve të kaluara janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. E drejta e fjalës nuk është e drejtë për dhunë,” shkruante ai në Tweeter.
Një grup më i vogël supremacistësh u mbrodhën të premten mbrëma, duke marshuar nëpër kampus me pishtarë në duar dhe duke hedhur parrulla të tilla si “Jeta e të bardhëve ka rëndësi”, në përgatitje për tubimin e së shtunës.
Edhe mbrëmë pati përleshje mes dy grupeve. Në mes të turmës u spërkat një lëndë kimike dhe policia arriti ta shpërndante turmën. Të paktën një peron u arrestua dhe disa të tjerë u trajtuan për lëndime të lehta.
Tubimi i së shtunës pritej të grumbullonte 2,000 deri në 6,000 njerëz, të cilët ishin të irrituar rreth planeve për heqjen e një statuje kushtuar gjeneralit të Konfederatës gjatë Luftës Civile, Robert E. Lee.