Manchester City “blindon” portën deri në vitin 2026

Manchester City “blindon” portën deri në vitin 2026

Porta e Manchester City-t do të jetë e “blinduar” edhe për pesë vite.

Kjo pasi gardiani brazilian, Ederson Moreas, ka vazhduar kontratën e tij me “qytetarët” deri në vitin 2026, transmeton Insajderi.com.

Ai u shpreh se është tejet i lumtur për vazhdimin e kontratës dhe shtoi se për të nuk ka qenë vendim fare i vështirë për t’u marrë.

“Ky ishte një vendim i lehtë për mua. Nuk ka askund tjetër ku unë do të doja të isha. Ne kemi arritur kaq shumë në katër vitet e fundit dhe kam besim se mund të vazhdojmë të sjellim më shumë sukses në sezonet e ardhshme”, tha ndër të tjera braziliani.

Moreas ka zhvilluar deri më tani 148 ndeshje me kampionët në fuqi të Premierligës angleze, ndërsa e ka mbajtur portën e paprekur në 73 ndeshje.

Ai po ashtu është fitues i dyfishtë i Dorëzës së Artë, çmim i cili ndahet në ishull për portierin që e ka mbajtur portën e paprekur në më së shumti ndeshje brenda një sezoni.

Ederson ishte transferuar në “Etihad Stadium” në vitin 2017 për një vlerë prej 35 milionë eurosh./Insajderi.com

Ederson Moreas pas vazhdimit të kontratës