Manchester United mposht Liverpool-in në supersfidë, kampionët e ligës eliminohen nga FA Cup

Manchester United mposht Liverpool-in në supersfidë, kampionët e ligës eliminohen nga FA Cup

Manchester United eliminon nga Kupa e Mbretëreshës (FA Cup) Liverpool-in. “Djajtë e Kuq” triumfuan në një sfidë spektakolare në “Old Trafford” me rezultatin 3-2, njofton Insajderi.

Greenwood, Rashford dhe Bruno Fernandes bënë të pavlefshëm dopietën e Mohamed Salah.

Sfida nisi mjaft mirë për kampionët në fuqi të Anglisë teksa egjiptiani Salah zhbllokoi sfidën ne minutën e 18-të. Tetë minuta më pas, Mason Greenwood barazoi rezultatin. Kaq për pjesën e parë.

45 minutat e dyta prodhuan akoma më tepër emocione. “Djajtë e Kuq” morën avantazhin e ndeshjes tre minuta nga fillimi i pjesës së dytë. Sulmuesi Marcus Rashford ndërroi vendin me shokun e skuadrës Greenwood teksa ktheu në golin asistin e këtij të fundit. Megjithatë, Liverpool u kundërpërgjigj me një aksion klasi. Salah finalizoi me gol kombinimin e bukur të shokëve të ekipit.

Por, portugezi i skuadrës së Ole Gunnar Solskjaerit, Bruno Fernandes, i solli gëzimin e shumëpritur ekipit duke shënuar nga goditja e dënimit në minutën e 78-të dhe deri në fund të sfidës, rezultati nuk ndryshoi.

Në këtë mënyrë, United kualifikohet për në raundin e 1/8-ave të FA Cup, ndërsa Liverpool duhet të përqëndrohet te kampionati dhe Liga e Kampionëve.

Kujtojmë që një javë më parë të dyja ekipet u ballafaquan në “Anfield Road” në kampionat, sfidë që përfundoi me shifrat 0-0. Kjo është fitorja e parë Manchester United kundër Liverpool pas gati tre vitesh. /Insajderi.com