Manchester United shfrytëzoi klauzolën në kontratën e Pogba-s, për të zgjatur kontratën e francezit edhe për një vit tjetër, një javë pasi mesfushori filloi të fliste për një lëvizje në Real Madrid, transmeton Insajderi.
Kontrata e Pogba-s do të përfundonte në qershorin e vitit 2021, ndërsa portali prestigjioz, Goal.com ka konfirmuar që klubi anglez përdori opsionin e tyre për ta zgjatur kontratën edhe për një vit tjetër, që do të thotë se Pogba është nën kontratë me Manchester United deri në verën e vitit 2022.
Pogba tha gjatë merkatos së kaluar se “mund të ishte një kohë e mirë për të pasur një sfidë të re diku tjetër”, dhe ka folur vazhdimisht për mundësinë e transferimit në Real Madrid.
Javën e kaluar derisa ishte i angazhuar me ekipin kombëtar, Pogba tha: “Shumë gjëra janë thënë. Sigurisht, çdo futbollist do të dëshironte të luante për Real Madrid dhe do të ëndërronte për këtë. A është një ëndërr e imja, përse jo një ditë?”, tha francezi, kështu duke e lënë si mundësi, që një ditë të bëhet pjesë e madrilenëve.
“Por unë jam në Manchester United dhe e dua klubin tim. Unë luaj për Manchester United. Dua të performoj mirë për ta dhe të bëj gjithçka për t’i rikthyer atje ku meritojnë të jenë”, tha gjithashtu Pogba, nga respekti që ka për klubin nga Manchesteri. /Insajderi.com