Marash Kumbulla para derbit me Lazion: Jemi gati

Marash Kumbulla para derbit me Lazion: Jemi gati

Marash Kumbulla bëri një hap të rëndësishëm në karrierë në merkaton e verës, duke kaluar nga skuadra e Veronës te Roma, njofton Insajderi.

Mbrojtësi kuqezi e nisi shumë mirë aventurën me verdhekuqtë, ku që në ndeshjet e para tregoi paraqitje të shkëlqyera, duke rezultuar vendimtar edhe me dy gola të shënuar, ndaj Milanit në kampionat dhe ndaj Young Boys në Europa Ligë.

Megjithatë pas infektimit me Koronavirus, që e mbajti jashtë fushave për pak kohë, Kumbulla tashmë e ka humbur vendin e titullarit te verdhekuqtë.

Ditën e nesërme Roma luan derbin me Lazion, një ndeshje e veçantë kjo për tifozët verdhekuq, të cilët duan me çdo kusht fitoren. Një mesazh për tifozët e ka pasur edhe Kumbulla, i cili nëpërmjet faqes zyrtare, shkruan se nuk e kishte menduar që derbin e parë do ë luajë pa tifozë, por shkruan se është i bindur se do bëhet diçka që te ndihet mbështetja e tyre.

“Derbi i parë me fanellën verdhekuqe. Pa ngrohtësinë e tifozëve nuk do të jetë ashtu siç e kisha imagjinuar, por unë e di se ju do ta gjeni mënyrën, për të na bërë ta ndjejmë mbështetjen tuaj. Jemi gati”, shkruan Kumbulla. /Insajderi.com