
Gazeta spanjolle, “Marca” mundohet të zbehë suksesin e xhudistës Majlinda Kelmendi, e cila shkroi historinë një natë më parë, pasi fitoi medaljen e parë olimpike të shtetit të Kosovës në Rio 2016.
Sipas “Marca”-s , e cila citon revistën e njohur të xhudos “L’Espirit Judo”, fituesja e medaljes së artë në kategorinë nën 52 kilogram, ka refuzuar të bëjë kontrollet e dopingut në Francë para dy muajve dhe si pasojë i është ndaluar garimi në Francë nga ana e Agjencisë Anti-doping të Francës.
“Pas konsultimeve me ekspert të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IFJ), Kelmendi kishte refuzuar të kontrollohej, pasi zyrtarët e kontrollës anti-doping nuk ishin të autorizuar nga Agjencia Botërore e Anti-dopingut apo nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC)”, shkruan Marca, raporton Insajderi.
Sipas asaj që shkruan Marca, Kelmendit i është ndaluar garimi përkohësisht vetëm në Francë nga Agjencia Franceze Anti-doping, por jo edhe në shtetet e tjera.
Ky kontroll anti-doping nuk ka të bëjë asgjë me ato të Lojërave Olimpike, pasi kontrollet e Lojërave Olimpike i bëjnë zyrtarët përgjegjës të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar – IOC. /Insajderi.com