Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Facebookut, Mark Zuckerberg pranon të paguajë më shumë taksa në vende të ndryshme, veçanërisht në Evropë.
Ai gjatë një fjalimi në Konferencën e Sigurisë së Munihut, tha se dëshiron një reformë tatimore.
“Ne e pranojmë që [reformat] mund të nënkuptojnë se duhet të paguajmë më shumë taksa dhe ta paguajmë atë në vende të ndryshme nën një kornizë të re. Unë e kuptoj që ka zhgënjime se si kompanitë e teknologjisë tatohen në Evropë. Ne gjithashtu duam reformë tatimore dhe unë jam i kënaqur që Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim po e shikon këtë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, Zuckerberg bëri thirrje që Evropa të rregullojë rrjetet sociale për çështje të tilla si mesazhe politike, privatësi ose të rrezikojë të humbasë bazat ndaj rregullave “autoritare” të përcaktuara nga vende të tilla si Kina.
Facebook edhe kompani të tjetra janë akuzuar vazhdimisht se nuk kanë paguar shumën e duhur të taksave në shtetet ku veprojnë.
Zyrtarët qeveritarë janë pajtuar të negociojnë rregulla të reja për atë se ku duhet të paguhet taksa dhe çfarë pjese të fitimit duhet të tatohet kur bizneset e mëdha dixhitale nuk kanë një prani fizike në treg.