Masakra e Shën Valentinit: Krimi më i komentuar në histori çimentoi figurën e Al Capone-s

Masakra e Shën Valentinit: Krimi më i komentuar në histori çimentoi figurën e Al Capone-s

Masakra e Shën Valentinit është ndoshta ngjarja më e komentuar në historinë e krimit botëror. E vendosur në Çikagon e viteve ’20, ajo vazhdon të komentohet edhe sot e kësaj dite.

Në këtë kohë, rrugët e Çikagos kontrolloheshin nga krimi i organizuar. Dy banda luftonin mes tyre për të marrë kontrollin e plotë mbi industrinë e krimit. Qyteti kishte rrëshqitur në kaos dhe paligjshmëri. Politikanët dhe forcat e ligjit merrnin ryshfet nga mafia, e cila kishte ndezur luftën në rrugët e qytetit.

Trafiku i alkoolit në kohën e Proibicionit ishte një biznes shumë fitimprurës për krimin e organizuar. Bugs Moran, drejtuesi i Bandës së Anës Veriore kontrollonte shumicën e prodhuesve të alkoolit në anën veriore të qytetit. Monopoli i Moran në tregun e zi të alkoolit nuk i shkonte për shtat rivalit të tij: Al ‘Scarface’ Capone.

Në vitin 1922, një stuhi dhue shpërthen mes bandave italiane dhe irlandeze. Vrasjet mafioze tronditën qytetin. Mes viteve 1922 dhe 1926 ishin vrarë 474 mafiozë.

Capone i shpëtoi dy herë vdekjes për një qime pasi banda e Anës Veriore i kishte zënë pritë. Kjo bëri që Capone të qarkullonte nëpër qytet me ‘monstrën’ e tij, një makinë të blinduar që peshonte 3.5 ton, prodhuar nga Cadillac.

Konflikti arriti kulmin më 14 shkurt të vitit 1929 – dita kur u ekzekutuan më shumë mafiozë në histori. Shtatë anëtarë të bandës së Bugs Moran u vranë të mbështetur në mur nga katër vrasës të maskuar si policë me uniforma.

Fotot e masakrës së tmerrshme u publikuan në gazeta mëngjesin që pasoi, duke i tronditur amerikanët. Kjo ngjarje u njoh si Masakra e Shën Valentinit. Sot është 90-vjetori i saj.

Më 14 shkurt të vitit 1929, anëtarët e Bandës së Anës Veriore ishin thirrur për të marrë një ngarkesë me uiski kanadez, që mendohej se i ishte vjedhur Al Capone-s. Vëllezërit Gusenberg, dy nga shtatë viktimat, mbërritën me dy kamionë bosh në magazinën e zbrazur.

Qëllimi ishte të eleminohej Bugs Moran, por në fakt Moran ishte ngritur vonë atë mëngjes dhe shpëtoi për pak minuta. Kur mbërriti tek vendi, ai pa një patrullë policie dhe vendosi që të qëndronte në një kafene aty pranë për pak minuta. Kjo i shpëtoi jetën.

Brenda pak minutash, dy vrasës me pagesë dolën nga një makinë Cadillac dhe bllokuan hyrjen. Dy të tjerë, të veshur si policë, dolën nga makina e ‘policisë’ që kishte parë Moran. Ata u bënë thirrje anëtarëve të bandës së Moran që të mbështeteshin tek muri. Ata menduan se ishin arrestuar dhe u bindën.

Sapo ata u mbështetën, ndaj tyre u hap zjarr me armë automatike Thompson derisa të shtatë u shembën në tokë. Ekspertiza zbuloi se ndaj dy prej tyre u qëllua me shotgun, duke ua prishur fytyrën plotësisht.

Krimi nuk u raportua deri kur një fqinj kaloi tek garazhi dhe hapi dorën duke gjetur shtatë personat në një pellg të madh gjaku.

Kur mbërritën policët e vërtetë, Frank Gusenberg ishte akoma gjallë, edhe pse me 14 plumba në trup. I pyetur se kush e qëlloi, ai tha: “Askush, askush nuk më qëlloi”. Më vonë fjalët e tij ishin: Nuk jam spiun.

Masakra i dha fund betejës mes dy bandave. Al Capone ishte i dyshuari kryesor, por ai kishte alibi pasi ishte në Majemi në atë kohë.

Moran theu kodin e mafias dhe deklaroi: Vetëm Capone vret ashtu.

Kur e pyet Capone-n për një koment, ai tha: I vetmi që vret ashtu është Bugs Moran.

Banda e Al Capone-s nisi punën për të shkatërruar çdo provë.

Bugs Moran ruajti kontrollin ndaj territorit të tij deri në fund të Proibicionit në vitin 1933, por banda e tij nuk e mori kurrë veten nga kjo goditje. Në fakt, mbreti irlandez i mafias u arrestua për një grabitje pa lidhje dhe vdiq në burg në vitin 1957 në moshën 63-vjeçare.

Masakra e Shën Valentinit shokoi amerikanët. Krimi nuk u zgjidh pasi autoritetet thjesht nuk kishin prova kundër Al Capone-s. Ai u bë i njohur në vend si: Armiku publik nr.1. Kjo bëri që presidenti Herbert Hoover të lëshonte një urdhër zyrtar ndaj FBI: Thjesht kapeni Al Capone-n.

Më në fund, gangsterin e famshëm e arrestuan në vitin 1931. Ai u akuzua për evazion fiskal dhe u dënua me 11 vite burg. Kur mbërriti në qeli, ai ishte në gjendje të mjeruar shëndetësore, pasi ishte prekur nga sifilizi në një prej bordellove të tij. Më vonë nisi të kishte probleme mendore për shkak se kishte hequr dorë nga kokaina. Mjekët e diagnostikuan me gonorea. Capone doli nga burgu para kohe, por vdiq nga arresti kardiak në shtëpinë e tij në Florida në vitin 1947.