Masat anti-COVID: Për dy javë humbjet parashihet të jenë 70 milionë euro

Masat anti-COVID: Për dy javë humbjet parashihet të jenë 70 milionë euro

“Masat e reja kundër Coronavirusit do të ndikojnë që të ketë humbje deri në 70 milionë euro”.

Kështu ka deklaruar kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, sipas së cilit, para se të vendosej për mbyllje, Qeveria e Kosovës është dashur të stimulojë punëtorët dhe kompanitë, transmeton Insajderi.

“Nëse marrim statistikat e vitit të kaluar, ne kemi humbje mbi një miliard euro. Nëse flasim për mbylljen që është bërë diku 70 milionë do të kemi humbje për mbyllje dy javore për të cilat Qeveria e Kosovës ka marrë vendim. Edhe për punëtorët ka qenë e paraparë që të përfitojnë, por ky përfitim nuk ka shkuar në llogarinë e punëtorëve. Krejt kjo po bëhet dëme në të gjitha fushat e punëtorëve të sektorit privat faturën përfundimtare po e paguajmë ne”, ka deklaruar Azemi për EO.

Ndërkaq, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se në Kosovë si shkak i pandemisë rreth 60 mijë persona kanë humbur vendin e punës.

Madje, ai ka theksuar se duhet një analizë e thellë sa i përket mbylljes sepse duhet ditur se si të mbështetet sektori privat.

“Vetë fakti që kemi rreth 60 mijë punëtorë të papunë, dhe vetë fakti që do të ketë rënie të qarkullimit qoftë në gastronomi qoftë në hotele besoj që janë indikatorët kyç që dhënë hapësirë për shqetësim”.

“Në këtë drejtim besoj që duhet një analizë dhe kur të kemi mbyllje duhet të dimë se si të mbështetet sektori privat se vetëm mbyllja nuk është zgjidhje. Në Kosovë nuk kemi problem vetëm me të infektuar problem është kush i monitoron të infektuarit, si përcillen ata të cilët e bartin infektimit te të tjerët. Prandaj duhet një data bazë e mirëfilltë duhet një monitorim”./Insajderi.com