Mashtruesit u thanë viktimave se pasuritë dhe llogaritë e tyre bankare ishin lidhur me kartelet e drogës dhe do të sekuestroheshin nëse nuk paguanin, thanë autoritetet në Indi.
Policia në New Delhi thotë se ata kanë arrestuar më shumë se 50 persona të përfshirë në një skemë të qendrës së thirrjes që joshte viktimat duke menduar se pasuritë e tyre po ngriheshin si pjesë e një hetimi të hollësishëm të drogës, shkruan New York Times, transmeton Insajderi.
Viktimat ishin të bindur se duhej të transferonin para tek mashtruesit ose të rrezikonin të shkonin në burg.
Sipas autoriteteve, mashtruesit në këtë komplot u telefononin njerëzve dhe u thoshin atyre se pasuritë dhe llogaritë e tyre bankare po konfiskoheshin pasi oficerë nga agjencitë e zbatimit të ligjit të SHBA gjetën detajet e llogarisë së tyre bankare në skenat e krimit që përfshinin kartelet e drogës në Meksikë dhe Kolumbi.
Mbi 4,500 amerikanë u mashtruan, tha policia dhe zyrtarët vlerësojnë se më shumë se 14 milionë dollarë u transferuan gjatë dy vjetëve.
Hetuesit thanë që viktimave u jepeshin dy mundësi: Ose përballen me arrestimin ose zgjedhin një opsion “zgjidhje alternative të mosmarrëveshjes” që do t’i lejojë ata të shmangin ballafaqimin me ligjin.
“Atyre u kërkohej të blinin Bitcoins ose karta dhuratë Google në vlerë të të gjitha parave në llogaritë e tyre”, tha Anyesh Roy, një oficer policie në New Delhi. Më pas, paratë u transferuan në atë që u thanë viktimave se ishte “një portofol i sigurt qeveritar”, por që në fakt u përkiste mashtruesve.
Qendrat e thirrjeve janë pjesë e industrisë së jashtme të Indisë, e cila gjeneron rreth 28 miliardë dollarë të ardhura vjetore dhe punëson afërsisht 1.2 milion njerëz. Në të njëjtën kohë, vendi është shfaqur si një pikë e nxehtë për mashtrime në internet për të cilat autorët rrallë herë dënohen. /Insajderi.com