
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, ka debutuar me humbje tek ekipi i tij i ri në Bundesligë, Hamburgu.
Skuadra e futbollistit kuqezi u mposht në transfertë me rezultatin 1-0 përballë Volfsburgut më një gol të shënuar nga Mario Gomez në minutën e 83-të të takimit. Mavraj u aktivizua për 90 minuta të plota në qendër të mbrojtjes dhe mbi shpinë mbajti numrin 13.
Donis Avdijaj u aktivizua në minutën e 67 për Shalken në ndeshjen e luajtur në shtëpi ndaj Ingolshtadit. Skuadra e tij fitoi me rezultatin 1-0 falë një goli të Burgshtaler në minutën e dytë të shtesës.
Në ndeshjet e tjera Dortmundi fitoi me rezultatin 1-2 në transfertë ndaj Verder Bremenit, Augzburgu u mposht në shtëpi 0-2 përballë Hofenhajmit, ndërsa Darmshtadi me Mynshengladbahun u ndanë në barazim pa gola. Këto takime ishin të vlefshme për javën e 17 të Bundesligës.
Pas këtyre ndeshjeve, Dortmundi u ngjit provizorisht në vendin e 4-t me 30 pikë të grumbulluara, Shalke e Avdijajt mban momentalisht vendin e 9 me 21 pikë ndërsa Hamburgu i Mavrajt renditet i 16 me 13 pikë, pozicion që të detyron të luash në “play-out” për të siguruar mbijetesën.