Mayweather – McGregor: Data e meçit, “biznesi milionësh” dhe informacione të tjera

Të dy luftëtarët kanë arsyet e tyre për t’u ndeshur kundër njëri-tjetrit, por shuma marramendëse e parave që do të fitojnë të dy boksierët është një nga arsyet kryesore. Të dy mund të fitojnë më shumë se 100 milion dollarë nga ky meç.

Mayweather – McGregor: Data e meçit, “biznesi milionësh” dhe informacione të tjera

Ajo që nisi vetëm si një thashethem, tani është një realitet.

Pasi të dy luftëtarët pranuan të flasin për këto thashetheme, ata vendosën që ta zhvillojnë një meç, i cili sa është interesant, është edhe i çuditshëm.

Floyd Mayweather – njëri prej boksierëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave – kundër Conor McGregor, një luftëtar i arteve parciale – UFC, i cili është po aq i aftë në fushën e tij, por nuk ka aspak përvojë në boks.

Por, e veçanta e kësaj sfide janë edhe konferencat për shtyp, të cilat e kthyen në spektakël për tifozët e boksit këtë para-meç të boksit, raporton Insajderi. Ky meç është duke u kthyer në një biznes në vete për të dyja palët.

Vetë Mayweather kur është pyetur përse u rikthye aktiv në boks për t’u ndeshur me McGregor, deklaroi se “paratë” ishin arsye për zhvillimin e këtij meçi.

Të ardhurat që të dy boksierët kanë përfituar vetëm nga katër konferencat për shtyp që kanë zhvilluar në tri vende të ndryshme – Amerikë, Kanada dhe Angli – janë shumë të mëdha.

Pse Mayweather vendosi të ndeshej me McGregor?

Është një pyetje e drejtë, pasi para së gjithash, vetëm njëri prej tyre është boksier profesionist.

Të dy luftëtarët kanë arsyet e tyre për t’u ndeshur kundër njëri-tjetrit, por shuma marramendëse e parave që do të fitojnë të dy boksierët është një nga arsyet kryesore. Të dy mund të fitojnë më shumë se 100 milion dollarë nga ky meç.

Nga një pikëpamje tjetër, dy luftëtarët duan që të dëshmojnë më shumë sesa kanë bërë deri më tani. Ata, të dy, kanë dominuar në disiplinat e tyre ku kanë garuar, dhe duan të shkojnë më tej duke zhvilluar meçin mes tyre.

Ky meç do të jetë i veçantë, për faktin se njëri është luftëtar i UFC-së, ndërsa tjetri boksier profesionist.

A nuk duhej që Floyd Mayweather tashmë të ishte në pension?

Po, Mayweather u pensionua për herë të dytë në vitin 2015 pasi mposhti Andre Berton, herën e parë ai kishte paralajmëruar tërheqjen, 10 vjet më parë pas duelit me Ricky Hatton.

Megjithatë, Mayweather, i njohur me nofkën “Money” (Paraja), tha se do të kthehej sërish aktiv për t’u ndeshur me McGregor.

“Gjëja e vetme që më intereson është lufta ndaj Conor McGregor”, tha Mayweather. “Unë jam një biznesmen dhe kjo [lufta v.j] ka kuptim në biznes. Unë besoj në atë që unë dhe [këshilltari] Al Haymon kemi folur dhe diskutuar.”

Kur dhe ku zhvillohet meçi?

Meçi, që tashmë po quhet “Lufta e Shekullit” do të zhvillohet të shtunën më 26 gusht në T-Mobile Arena të Las Vegasit.

Koha e zhvillimit të meçit nuk është konfirmuar ende, por flitet se në Evropë meçi do të transmetohet në mëngjesin e së dielës.

Për cilët tituj do të luftohet?

Për asnjë. Edhe pse kjo po konsiderohet si një meç historik. Mayweather aktualisht nuk mban asnjë titull, për shkak se është tërhequr nga boksi profesionist në vitin 2015.

Sa i përket McGregor, ai është ende kampion i peshave të lehta në UFC, por kjo nuk ka të bëjë në disiplinën e boksit, kështu që nuk vihen në diskutim ata tituj. /Insajderi.com