Mbi 100 mijë punëtorë në Kosovë punojnë pa kontrata

Mbi 100 mijë punëtorë në Kosovë punojnë pa kontrata

Mbi 100 mijë llogaritet të jetë shifra e punëtorëve në Kosovë të cilët punojnë pa kontrata pune, transmeton Insajderi.

Jusuf Azemit, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, tha se sipas të dhënave të tyre në tregun e punës, ky numër ka qenë më i lartë para pandemisë, por disa tanimë kanë humbur vendin e punës.

“Aq sa kemi punëtorë më kontrata pune aq kemi pa kontrata. Për këtë fajtor është Inspektorati i Punës, i cili, fatkeqësisht, punëtorët e sektorit privat nuk i mbrojnë si duhet. Ata (punëtorët) kur vijnë dhe ankohen te ne, thonë që të mos t’i dërgojnë në Inspektorat, pasi që ata nuk i ndihmojnë asgjë, vetëm se mund të mbesin edhe pa punë”, pohoi Azemi për REL-in.

Megjithatë, numri i saktë i punëtorëve që punojnë pa kontrata nuk dihet, pasi që rastet e tilla punëtorët nuk i raportojnë tek autoritetet kompetente.

Kontrata nënkupton që punëdhënësi është i detyruar që të punësuarin ta paraqesë në Administratën Tatimore të Kosovës dhe institucionet tjera, të cilat menaxhojnë dhe administrojnë skemat e obligueshme pensionale dhe skemat tjera.

Punëtorët që nuk kanë kontrata, nuk paguajnë taksa dhe kontribute personale dhe në këtë mënyrë nuk kanë arritur të përfitojnë nga pakot emergjente të Qeverisë së Kosovës, që kanë pasur për qëllim zbutjen e pasojave që janë shkaktuar nga pandemia COVID-19./Insajderi.com