Mbi 40% e gastronomëve nuk i kanë marrë subvencionet e premtuara nga Ministria e Financave

Mbi 40% e gastronomëve nuk i kanë marrë subvencionet e premtuara nga Ministria e Financave

Mbi 40 përqind të bizneseve të sektorit të gastronomisë ende nuk kanë marrë subvencionimin e premtuar nga Ministria e Financave për mbylljen në muajin prill si masë kundër pandemisë COVID-19, njofton Insajderi.

Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica, thotë se gjatë mbylljes 12 ditore shumica e bizneseve nuk kanë operuar me shërbimet ‘take away’ dhe ‘delivery’, ndërsa shton se mbi 10 milionë euro dëme kanë ndodhur në sektorin e gastronomisë.

“Kjo pako, e cila lidhet me gjysmën e pagës së sektorit të gastronomisë, qendrave tregtare të tipit të mbyllur dhe transportuesve ndërurban dhe gjysmës së qirasë të të gjitha këtyre kategorive, kanë qenë të ekzekutuara që nga data 12 maj, do të thotë me përfundimin e aplikimit më 11 maj, ka filluar ekzekutimi, mirëpo është i pjesshëm. Ka një numër të konsiderueshëm, sidomos nga sektori i gastronomisë po flas, ka mbi 40 përqind të bizneseve, të cilët raportojnë që nuk i kanë marrë ende as pagat dhe as qiratë e lokaleve të tyre. Andaj të shohim nëse brenda muajit do të kemi një subvencionim të tillë”, thotë ai, raporton EO.

“Mbi 10 milionë euro dëme kanë ndodhur vetëm në gastronomi dhe gjendja epidemiologjike në vendin tonë përsëri ishte mbi 10 përqind, pas kalimit të 2 javëve, pas mbylljes 12 ditore”, thotë ai. /Insajderi.com