Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami, njoftoi se mbi 60 milionë euro nga buxheti i shtetit janë shpenzuar për ndërtimin e objekteve arsimore e kulturore.
Kështu bëri të ditur ajo në mbledhjen e së martës, ku u shqyrtua Raporti i auditimit të performancës “Menaxhimi i kontratave publike të ndërtimit”.
Anëtarja e komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Jetmire Vrenezi, tha se ka pasur shumë parregullsi dhe paqartësi lidhur me realizimin e projekteve.
Sipas saj, Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit nuk i kanë përfillur rekomandimet e auditorit, duke përjashtuar këtu ministrinë e Administratës Publike.
Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku iu adresua pyetje lidhur me çështjen e investimeve dhe kontratave dhe se cili është plani i tij për adresimin e këtij problemi.
Çeku tha se qysh nga marrja e detyrës kanë kërkuar pasqyrimin e projekteve dhe kontratave me çka edhe kanë ndërmarrë masa kudo që kanë hasur në shkelje.
“Çështja e auditimit të performancës, ne kemi filluar punën menjëherë, duke kërkuar pasqyrimin e të gjitha projekteve dhe kontratave, dhe kemi skanuar këto kontrata duke marrë edhe masa ndaj dyshimeve për vepra penale”, tha Çeku./Insajderi.com