
Trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino, tha se Harry Kane është “një nga sulmuesit më të mirë të planetit” dhe ka këmbëngulur se klubi i tij do të bëj të pamundurën për të mbajtur “yjet” në përbërje. 23-vjeçari Kane shënoi katër gola në fitoren 6-1 që londinezët arritën ndaj Leicester duke u ngjitur në krye të listës së golashënuesve të Premier League, para Romelu Lukaku dhe Alexis Sanchez. Pochettino tha: “Kane është një futbollist i veçantë, ai është i dashuruar me Tottenham. Futbollistët që ne duam të mbajmë do të qëndrojnë këtu edhe në sezonin e ardhshëm. Nëse dikush do të largohet do të jetë një vendim i Tottenham.”
Kane shënoi 25 gola në edicionin e kaluar të Premier League ku u shpall golashënuesi më i mirë, ndërsa sivjet ka arritur kuotën e 26 golave, kur ka mbetur edhe një ndeshje nga fundi. Emri i tij, ashtu si mesfushori Dele Alli dhe mbrojtësi Kyle Walker kanë përfunduar në listën e dëshirave të klubeve më të mëdha të planetit, por Pochettino tha se Tottenham e ka nën kontroll të ardhmen e tre futbollistëve të kombëtares angleze. “Jemi shumë të qetë sepse futbollistët tanë kryesorë janë të lumtur në klubin tonë dhe janë pjesë e këtij projekti që po ndërtojmë. Për vitin e dytë me radhë jemi në vendin e dytë dhe Kane me shokët e tij kanë mundësi të fitojnë trofe me ne.”
Kane ka humbur tetë ndeshje në këtë sezon për arsye dëmtimesh, por gjithsesi ka të ngjarë të fitojë duelin me sulmuesin e Everton, Lukaku dhe sulmuesin e Arsenal, Sanchez, teksa kanë mbetur edhe 90 minuta për t’u luajtur. Sanchez dhe Lukaku do të jenë kundërshtarë në “Emirates Stadium”, ndërsa Kane dhe Tottenham do të vizitojnë fushën e Hull City. Të gjitha ndeshjet e javës së fundit të kampionatit anglez do të luhen të dielën në orën 16:00.
Kane ka shënuar çdo 94 minuta lojë sivjet, por ai është i mendimit se gjërat mund të kishin shkuar edhe më mirë.
“Ndoshta mund të kisha shënuar më shumë, – tha ai. – Katër gola nuk i kisha shënuar kurrë në karrierën time. Do të isha i kënaqur me një apo dy gola duke mbajtur të hapur garën për “Këpucën e Artë”, por katër gola nuk i kisha imagjinuar. Ky është sezoni im më i mirë sepse në dy muaj nuk kam luajtur, megjithatë kam arritur të shënoj më shumë se të gjithë.”
Tottenham ka marrë 13 pikë, në mënyrë direkte, nga golat e Kane. Më mirë se ai ka bërë vetëm Diego Costa, që me 20 golat e tij i ka dhënë 15 pikë skuadrës së Chelsea, shkruan telesport.
Kane është futbollisti i pestë në historinë e Premier League që ka shënuar 25 ose më shumë gola në dy sezone radhazi. Të tjerët janë Robbie Foëler, Thierry Henry, Alan Shearer dhe Robin van Persie. “Viktima” e preferuar për Kane është pikërisht e vetmja skuadër ku ka luajtur gjatë karrierës së tij, krahas Tottenham, Leicester City, të cilëve i ka shënuar 10 gola. Kane shënon çdo 120 minuta në kampionat gjatë karrierës së tij, vetëm Sergio Aguero me një gol çdo 111 minuta ka bërë më mirë.
Katër golat kundër Leicester:
https://www.youtube.com/watch?v=_PBisAyI2m0