Me helmetë në kokë dhe antiplumb, edhe presidenti shkon në luftë

Me helmetë në kokë dhe antiplumb, edhe presidenti shkon në luftë

Vetëm një javë pasi u betua si presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky vizitoi frontin e luftës. Ai u ndal të hënën në Luhansk, ku ushtria e vendit lufton kundër rebelëve separatistë që mbështeten nga Rusia.

Sipas zyrës së shtypit të presidentit, Zelensky vizitoi trupat ushtarake të vendosura në të ashtuquajturën Republika e Vetëshpallur e Luhansk-ut, e shkëputur nga kontrolli i Kievit në vitin 2014.

Në videot dhe fotografitë e shpërndara nga zyra e shtypit, presidenti Zelensky shihet i veshur civil, por me helmetë dhe jelek anti-plumb. Kjo vizitë në frontin e luftës zhvillohet për të parë nga afër kushtet e jetesës së ushtarëve, thuhet një njoftim ndërsa presidenti Zelensky ka nënvizuar mundësinë për t’i përmirësuar ato.

Komiku 41-vjeçar pa eksperiencë politike është presidenti më i vendit i epokës pas sovjetike. Ai mundi thellë në raundin e dytë të zgjedhjeve ish-presidentin Petro Poroshenko, fushata e privatizimeve e të cilit shkaktoi pakënaqësi të mëdha popullore.

Gjatë fushatës, u vu në dyshim aftësia e Zelensky-it për të drejtuar një vend që lufton prej pesë vjetësh me Rusinë e ku janë vranë mbi 13 mijë vetë.

Rebelimi kundër qeverisë ukrainase në rajonet e Donetsk dhe Luhansk-ut filloi në vitin 2014 menjëherë pas rënies së presidentit pro-rus si pasojë e revoltave popullore. Moska i armatosi rebelët në lindje të vendit, pavarësisht se një fakt i tillë mohohet nga Kremlini.