Mediumi norvegjez: Celina luan kundër miqve të tij në vendlindje

Mediumi norvegjez: Celina luan kundër miqve të tij në vendlindje

Rreth një vit e gjysmë më parë, Bersant Celina luante për kombëtaren U-21 të Norvegjisë. Më 12 qershor, mesfushori do të luajë për Kosovën U-21 ndaj Norvegjisë U-21, në qytetin ku është rritur – Drammen.

“Patjetër që është e veçantë. Nuk ka diçka më shumë për të shtuar në këtë gjë”, deklaroi Celina për mediumin norvegjez Aftenposten.

Siç shkruan Aftenposten, Celina ishte vlerë e shtuar për kombëtaren norvegjeze, mirëpo dy vite më parë ai u largua nga kombëtarja nordike për të zgjedhur Kosovën.

Më 12 qershor, në stadiumin Marienlyst, Celian do të përballet me disa miq të tij. Ai ka luajtur së bashku me Martin Odegaard dhe Iver Fossum në skuadrën e Stromsgodset dhe në kombëtaret e moshave të Norvegjisë.

“Ata janë të gjithë shokë të mirë. Do të jetë kënaqësi të luaj kundër atyre. Nuk kam luajtur futboll në tri apo katër javët e fundit, mirëpo do të mundohem që të kthehem në formë”, deklaroi Celina, i cili nuk është përzgjedhur nga Albert Bunjaki për përfaqësuesen A të Kosovës.

Përveç Celinës, trajneri i përfaqësueses së Kosovës e ka lënë jashtë listës edhe mbrojtësin 20-vjeçar të Hajduk Splitit, Ardian Ismajlin. Edhe Ismajli do të jetë pjesë e Kosovës U-21 për ndeshjen eliminatore ndaj Norvegjisë. /Insajderi.com