Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të bëjnë reforma të mëdha në politikën e saj të imigracionit pasi mijëra migrantë u bllokuan nga policia në Guatemalën, përcjell Insajderi.
Lopez Obrador tha se ishte me shpresë që Presidenti i zgjedhur Joe Biden do të pranonte të punonte me Meksikën dhe vendet e tjera për këtë çështje.
Rreth 7,000 migrantë, kryesisht nga Hondurasi, kanë hyrë në Guatemalë. Ata shpresojnë të udhëtojnë për në Meksikë dhe përfundimisht të arrijnë kufirin e SHBA, raporton BBC.
Çdo vit, dhjetëra mijëra migrantë të Amerikës Qendrore përpiqen të arrijnë në SHBA, shpesh në këmbë, në grupe të njohura si “karvane”.
Ata thonë se po ikin nga persekutimi, dhuna dhe varfëria në vendet e tyre të lindjes. Kushtet janë përkeqësuar nga shkatërrimi i shkaktuar nga dy uragane të mëdha që goditën Amerikën Qendrore nëntorin e kaluar. /Insajderi.com