Lufta sapo ka nisur, teksa nuk shfaqet as edhe një sinjal paqe. Praktikisht, Yaya Toure, që nga ardhja e Pep Guardiola-s në drejtimin e Manchester City, nuk e ka parë fushën e blertë me sy. Futbollisti nga Bregu i Fildishtë është aktivizuar vetëm në rastin e ndeshjes së kthimit e vlefshme për fazën kualifikuese të UEFA Champions League, kundër Steaua Bucarest, në momentin kur rezultati dhe kualifikimi i Citizens për në fazën e grupeve ishte hipotekuar.
Që nga ai moment e tutje, katalanasi ka vendosur të mos e përfshijë më mesfushorin në listën e Champions League, duke nxitur një sulm të fuqishëm akuzash mes tij dhe menaxherit të futbollistit, Dimitri Seluk.
Pas një sërë akuzash dhe kundërakuzash të publikuara në faqet e gazetave, tonet janë ringritur sërish gjatë ditëve të fundit. Fillimisht deklarata e Guardiolas në konferencën për shtyp, më pas përgjigja e Seluk.
“Skuadra që ka stërvitur në Barcelonë ishte e ndërtuar që më parë nga Rijkaard dhe ishte gjithashtu me fat që kishte Messin. Ishte argjentinasi që e bëri Barçan të madhe, jo Pep. Më pas, është Luis Enrique dëshmia e qartë që sukseset e “blaugranave” nuk vareshin aspak nga Guardiola”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për përvojën e Guardiolas tek Bayerni.
“Në Munich, me Bayernin ndodhi praktikisht e njëjta gjë. Fitoi me një skuadër me të cilën edhe gjyshi im do të mund të kishte fituar titullin kampion. Nëse dëshiron të dëshmojë se është një trajner i madh, atëherë të shkojë te Saragozza, ose te Sunderland dhe të nisë të fitojë edhe atje”, deklaroi Seluk.