Mërgim Vojvoda zgjidhet futbollisti më i mirë në Kosovë nga FFK-ja

Mërgim Vojvoda zgjidhet futbollisti më i mirë në Kosovë nga FFK-ja

Mërgim Vojvoda është zgjedhur futbollisti më i mirë në Kosovë për vitin 2020, ndërsa epiteti i më të mirit në Superligë i takoi Armend Thaçit të Ballkanit. Të dy janë mbrojtës të krahut të djathtë. Thaçi i Ballkanit u zgjodh më i miri me votat e gazetarëve sportivë derisa Vojvoda, që luan për Torinon në Serie A, nga përzgjedhësit e përfaqësueseve të Kosovës, njofton Insajderi.

Ceremonia e shpalljes së më të mirëve nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) u organizua të mërkurën. Të pranishëm në këtë ceremoni, shkaku i rrethanave të pandemisë, ishin vetëm fituesit, drejtuesit e FFK-së dhe Përfaqësueses së Kosovës.

Për mbrojtësin e Torinos është hera e parë që e merr çmimin e më të mirit. Ai nuk ishte prezent në ceremoni, ndërsa kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ia dha çmimin ndihmëstrajnerit të Kosovës, Muharrem Sahiti.

“Dua t’i falënderoj të gjithë për këtë çmim. Do të kthehemi shumë shpejt në nivele më të larta, e do të aspirojmë suksese më të mëdha. Këtë e meriton Kosova, FFK-ja, populli ynë e sidomos tifozët ‘Dardanët’. Dua t’i falënderoj të gjithë bashkëlojtarët, trajnerët, e të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me mua. Faleminderit të gjithëve! Kjo është Kosova, ju dua shumë”, ka thënë Vojvoda nëpërmjet një video-mesazhi.

Ndërkohë, edhe për Thaçin e Ballkanit ishte hera e parë që e fiton çmimin si futbollisti më i miri i Superligës.

“Është motiv që në të ardhmen ta dëshmoj se e kam merituar këtë çmim. Shpresoj që viti 2021 të jetë më i mirë për të gjithë ne. Për të gjithë ka qenë një vit shumë i vështirë. Të gjithë ne futbollistët i kemi shkelur nganjëherë rregullat pasi nuk na lejohet të pushojmë gjatë gjithë kohës. Është dashur të stërvitemi, e ajo puna shumë e madhe po jep frytet e veta”, ka thënë Thaçi.

Trajneri më i mirë i vitit u zgjodh Ardian Nuhiu i Dritës. Nuhiu me Dritën e fitoi titullin e kampionit të Kosovës stinorin e kaluar, ndërsa Drita është shpallur kampione vjeshtore edhe këtë stinor. Falë suksesit në edicionin e kaluar dhe aktual, Drita e fitoi epitetin e klubit më të mirë për vitin 2020. Këtë edicion Drita arriti deri në raundin e dytë kualifikues Ligës së Evropës dhe u bë ekipi i parë që luajti në këtë rreth.

“Është dita më e lumtur në jetën time. Është një arritje e veçantë për mua. Një trajner shumë i ri dhe patjetër duhet të falënderoj shumë njerëz sonte këtu. E kishit theksuar se ka qenë kampionati më i vështirë, është shumë e saktë, pasi është nder e privilegj ta marr këtë çmim unë, në një konkurrencë të tillë siç kemi pasur në Superligë, shumë trajnerë cilësorë. Por, gjithmonë duke falënderuar klubin tim Drita, e njerëzit kryesorë pa të cilët nuk do të ishim këtu”, ka thënë Nuhiu.

Futbollistja më e mirë e vitit është zgjedhur Blerta Shala e klubit Mitrovica. Ajo, me ta pranuar çmimin, ka falënderuar klubin dhe Federatën duke shtuar se ky çmim e motivon të punojë më tepër. Ndërsa, KFF Mitrovica u zgjodh klubi më i mirë në konkurrencë të femrave.

Epiteti i golashënuesit më të mirë për vitin 2020 ishte për Mirlind Dakun e Ballkanit, ndërsa Feronikeli u shpall si klubi më ferplej. Jeton Rukovci i FC Prishtinës u zgjodh lojtari më i mirë i vitit në futsall, e FC Prishtina klubi më i mirë në futsall. Epiteti i arbitrit të vitit i takoi Mervan Bejtullahut.

“Jemi detyruar ta mbajmë këtë ceremoni shkaku i situatës së krijuar vetëm me fituesit. Ishte një vit i jashtëzakonshëm, i vështirë. Ne humbëm rastin me ekipin përfaqësues për të qenë në Evropian, ne të gjithë e fituam betejën e jetës me COVID-19, edhe pse ka marrë në Kosovë goxha shumë jetë. Ka qenë një vit i ngjeshur. Shpresoj që vitin tjetër të organizojmë dhe të luajmë në rrethana normale”, ka thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi. /Insajderi.com