Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristi Qose, është shndërruar në një ekspert penalltish. 25 vjeçari gjeti rrugën e rrjetës nga pika e bardhë e penalltisë në triumfin 3-1 që skuadra e tij Karvina arriti në ndeshjen e kampionatit çek ndaj Opavas, njofton Insajderi.
I aktivizuar si titullar, Qose realizoi në minutën e 82-të, duke vulosur përfundimisht shifrat në 3-1. Ky ishte goli i katërt i realizuar me penallti nga mesfushori shqiptar, i cili në total ka realizuar pesë gola në 18 ndeshje.
Vlen të theksohet fakti se përveç golit të shënuar, Qose ishte protagonist edhe me asist te goli i dytë i realizuar nga Tavares Dos Santos.
Skuadra e tij renditet në vendin e 11-të me 24 pikë. Mesfushori i Kombëtares, është një ndër liderat e Karvinës, teksa ka fituar besimin absolut të trajnerit dhe klubit. /Insajderi.com