Me Kampionatin Europian që starton më 11 qershor, e gjithë Europa duhet të mbyllë sa më shpejt kampionatet e tyre, prandaj edhe kjo mesjavë do të jetë e pasur me ndeshje, ku të gjitha ligat e mëdha do të jenë në fushën e lojës, njofton Insajderi.
Në Bundesligë, sot do të jetë radha e Bayern Munchen, i cili në “Allianz Arena” do të ndeshet me Bayer Leverkusen, për të bërë një tjetër hap të madh dhe të sigurt për të blinduar titullin kampion. Ndërkohë, në Angli do të jetë në skenë Chelsea, që do të presë në shtëpi ekipin e Brighton, për t’u konfirmuar brenda katërshes së parë, ndonëse me tërmetin e Super Ligës Europiane nuk duket se renditja e klubeve të cilat janë pjesën e saj do të ketë shumë rëndësi, nëse mes UEFA-s dhe atyre nuk arrihet paqja.
Ndërkohë, mesjava do të shohë në fushë edhe Serinë A, ndonëse ekipet e mëdha do të zbresin në fushë të mërkurën, konkretisht: Milan-Sassuolo, Juventus-Parma dhe Spezia-Inter. Sot do të luhet vetëm Verona-Fiorentina.
Edhe në Spanjë do të ketë ndeshje në mesjavë, ndonëse vetëm mes së mërkurës dhe së enjtes. Në La Liga lufta për titull është më e zjarrtë se kurrë, ndaj tri skuadrat që rivalizojnë për të duhet të bëjnë sa më pak hapa falsë.
Nesër do të jetë në skenë Cadiz-Real Madrid, ndërsa të enjten Atletico Madrid pret në shtëpi Huescan, një sfidë e lehtë në letër, ndërsa Barcelona pret Getafen në “Kamp Nou”, me katalanasit që kujtojmë se do të kenë edhe një ndeshje për të rikuperuar, pas ndeshjes së shtunë, në finalen e Kupës së Mbretit, trofe që e merituan ndaj Bilbaos. /Insajderi.com