
Në orët e para të mëngjesit të ditës së hëne, sipas orës tonë lokale, në “The Arena”, luhej ndeshja e tretë finale mes skuadrës nga California, La Lakers, ndaj skuadrës nga Florida, Miami Heat, njofton Insajderi.
Në dy ndeshjet e para finale, Lakers kishte fituar të dyja ndeshjet, ndërsa në ndeshjen e tretë finale, Miami ishte më e vendosur për fitore dhe arriti t’i mposhte Lakers me rezultat 115:104.
Koshashënuesi kryesor i takimit ishte, Jimmy Butler nga Heat, i cili arriti triple – double me 40 pikë, 11 kërcime dhe 13 asistime, kështu duke u bërë vetëm lojtari i tretë në histori të NBA në ndeshjet finale që e arrin këtë gjë.
Në anën tjetër, te Lakers më i suksesshmi ishte LeBron James që shënoi 25 pikë, 10 kërcime dhe tetë asistime.
Ndeshja e katërt finale, mes Lakers dhe Miami, luhet të mërkurën në orët e para të mëngjesit, sipas orës tonë lokale. /Insajderi.com