Microsoft thyen rekord të fitimeve

Microsoft thyen rekord të fitimeve

Gjiganti i teknologjisë Microsoft, ka njoftuar se ka siguruar një vit fiskal rekord.

Shefi ekzekutiv i Microsoft, Satya Nadella, këtë ia atribuoi partneritetit të ngushtë me kompanitë lider në çdo industri dhe kontratave shumëvjeçare për shërbimet cloud [ruajtja online e të dhënave].

Sipas raportit të fundit financiar, përcjell Telegrafi, kompania gjeneroi 33.7 miliardë dollarë të ardhura tre mujorin e kaluar, 12 për qind më shumë sesa vitin e kaluar. Për vitin fiskal që u mbyll në muajin qershor, Microsoft gjeneroi 125.8 miliardë dollarë të ardhura, një rritje me 14 për qind krahasuar me një vit më parë.

Të ardhurat nga shërbimet | Burimi: Microsoft

Siç po ndodh me çdo tre mujor, edhe këtë periudhë të fundit, kompania shikoi rritjen e shërbimit cloud me 19 për qind apo 11.4 miliardë dollarë të ardhura. Pjesa e produktivitetit u rrit me 14 për qind, ndërsa pjesa e kompjuterëve personal me 4 për qind apo 11.3 miliardë dollarë.

I vetmi sektor me rënie është ai i lojërave Xbox me 10 për qind dhe softuerit dhe shërbimit Xbox me 3 për qind.