Mike Pompeo: Kërkojmë pushim të menjëhershëm të konfliktit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

Mike Pompeo: Kërkojmë pushim të menjëhershëm të konfliktit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, kërkoi sot armëpushim midis Azerbajxhanit dhe Armenisë pas rritjes së dhunës në rajonin e diskutueshëm, transmeton Insajderi.

“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Azerbajxhanit dhe Armenisë të zbatojnë angazhimet e tyre për një armëpushim siç është rënë dakord dhe të pushojnë së shënjestruari zonat civile, siç janë Ganja dhe Stepanakert”, shkroi Pompeo në Twitter.

Një armëpushim humanitar u shpall të shtunën për shkëmbimin e të burgosurve dhe tërheqjen e trupave të pajetë në Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht si i Azerbajxhanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Armëpushimi erdhi pas një takimi trepalësh të premten në Moskë midis ministrave të jashtëm të Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë.

“Ne shprehim keqardhje për humbjen e jetëve të njerëzve dhe qëndrojmë të përkushtuar për një zgjidhje paqësore”, tha diplomati i lartë amerikan.

Natën e 11 tetorit, qyteti i dytë më i madh në Azerbajxhan, Ganja, i cili qëndron larg vijës së frontit, u godit me raketa nga forcat e armatosura armene. Në sulm humbën jetën të paktën 10 civilë dhe u plagosën shumë të tjerë, përfshirë të mitur. /Insajderi.com