Mikel Arteta: Granit Xhaka është shembull për Ozil dhe Guendouzi

Mikel Arteta: Granit Xhaka është shembull për Ozil dhe Guendouzi

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, është i bindur se ringjallja e mesfushorit Granit Xhaka është dëshmia se çdo lojtar mund ta rikthejë karrierën e tij tek Arsenal. Mesfushorët Mesut Oezil dhe Matteo Guendouzi duhet ta ndjekin shembullin e Xhakës nëse duan të shpëtojnë karrierën e tyre te skuadra e Arsenalit, ka insistuar trajneri i Arsenal, për mediat angleze.

“Ishte sfidë që ta bindja atë që ai akoma e kishte një vend te Arsenali për shkak se unë kisha besim të madh tek ai. Gjithashtu besoja se gjërat do të ktheheshin edhe më mirë se që kishin qenë”, tha Arteta.

“Graniti duhej të dërgonte mesazhet e duhura. Para së gjithash, ai duhej të besonte se mund ta bënte këtë dhe se unë do ta mbështesja në gjithë rrugën. Jam shumë i lumtur që ai dëgjoi dhe e kuptoi reagimin e tifozëve ndaj tij. Mendoj se tifozët tashmë kanë vlerësuar atë që ka bërë ai dhe kjo është shumë pozitive. Ai tanimë ka tejkaluar vështirësitë” ka përfunduar Arteta, raporton Insajderi.com

Xhakës fillimisht iu mor shiriti i kapitenit pasi reagoi ndaj tifozëve duke u fjalosur me ta gjatë zëvendësimit dhe pastaj u la jashtë ekipit për disa ndeshje. E pikërisht Xhakën, Arteta e ka marrë si shembull për të frymëzuar dy mesfushorët e tjerë si Ozil edhe Guendouzi.

Xhaka, është pjesë e Arsenalit që nga vera e vitit 2016 dhe me ekipin anglez ka kontratë deri në vitin 2023. Ai këtë edicion ka një gol e dy asistime në 38 paraqitje në të gjitha garat./Insajderi.com.