Vit i ri, Milan i vjetër. Kuqezinjtë e drejtuar nga Stefano Pioli vazhdojnë serinë e fitoreve, teksa ditën e sotme kanë mposhtur Beneventon, në një ndeshje interesante, njofton Insajderi.
Kuqezinjtë kaluan në avantazh që në minutën e 15-të, ku Kessie shndërroi në gol një penallti të fituar nga Ante Rebiç. Megjithatë kur të gjithë po mendonin se gjithçka po shkonte në rrugën e duhur për Milanin, Sandro Tonali ndëshkohet me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj kundërshtarit në minutën e 34-të dhe e lë skuadrën e tij me 10 lojtarë.
Edhe pse me një lojtar më pak, Milani e nis pjesën e dytë me gol, ku Leao shënoi në minutën e 49-të, pas një kundërsulmi vrastar. Në minutën e 60-të, Kruniç shkakton ndërhyrje të gabuar në zonë dhe arbitri akordon penallti për Beneventon, por Caprari dështon të ngushtojë shifrat, duke gabuar nga pika e bardhë e penalltisë.
Pas këtij rasti, ndeshja ishte më e bukur, me raste nga të dyja ekipet, ku kuqezinjtë kishin edhe mundësinë për golin e tretë në fund, por gjuajtja e Kessie u ndal nga shtylla.
Me këtë fitore, Milani rimerr kreun e renditjes me 37, një pikë më shumë se Interi i vendit të dytë dhe shkon në ndeshjen e së mërkurës ndaj Juventusit si kryesues. /Insajderi.com