Milani ka mposhtur Crotonen me rezultatin 4-0, në sfidën e vlefshme për javën e 21-të të Serisë A, njofton Insajderi.
Dopietat e Zlatan Ibrahimoviç dhe Ante Rebiç, i siguruan triumfin e 15-të në kampionat skuadrës së Piolit, që u rikthye në krye të renditjes me 49 pikë, dy më shumë se ndjekësit e Interit.
Bomberi suedez zhbllokoi sfidën në minutën e 30-të. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 në favor të ‘kuqezinjve’, ndërkohë që në fragmentin e dytë, Milani realizoi edhe tre gola të tjerë, Ibra fillimisht në të 64-tën dyfishoi shifrat, ndërkohë që Ante Rebiç realizoi dopietë në harkun kohor të një minute, më saktësisht në të 69-të dhe 70-tën.
Në sfidën e radhës, Milani do të jetë mysafirë në transfertë ndaj Spezias, për të kërkuar triumfin e 16-të në kampionat dhe për të marshuar drejt titullit.
Vlen të theksohet fakti se me dopietën e sotme, Ibra shkoi në kuotën e 501 golave në karrierë. /Insajderi.com